Arteroskleroza e arterieve karotide
dhe insulti cerebral trombotik


Arteroskleroza e Arterieve Karotide

  • Arteriet Karotide janë Arterie që e kanë origjinën nga harku i aortës dhe furnizojnë me gjak trurin si dhe pjesët e qafës dhe fytyrës.
  • Kemi dy arterie karotide: e majta dhe e djathta. Secila nga këto ndahet në dy degë: në Arterien Karotide të brëndshme ose Arteria Carotis Interna (ACI) dhe të jashtme ose Arteria Carotis Externa (ACE).
  • Arteriet karotide të brëndshme furnizojnë trurin me gjak të oksigjenuar dhe secila prej tyre, ka zgjatime më të vogla brenda në tru. Ato lidhen me njëra tjetrën duke formuar një rreth me enë gjaku i cili quhet “Circulus Willis”.
  • Arteriet karotide të jashtme furnizojnë me gjak të oksigjenuar qafën dhe fytyrën.
  • Në rastet kur formohen pllaka Artero Sklerotike ose pllaka me yndyrë në muret e ACI, dëmtohet rrjedhja normale e gjakut. Sa më shumë të ngushtohet rrezja e Arteries Karotide aq më shumë pakësohet furnizimi me gjak i Trurit.

Faktorët e rrezikut që ndikojnë në formimin e Pllakave Arterosklerotike:

  • Yndyrnat e larta në gjak.
  • Sëmundja e Hipertensionit Arterial (HTA).
  • Sëmundja e Diabetit.
  • Konsumi i rregullt i duhanit.
  • Avancimi i moshës.
  • Obeziteti ose mbipesha.
  • Historia familjare ose trashëgimia.
  • Pllakat Arterosklerotike janë të njëjta me ato që formohen në arteriet koronare, të cilat janë përgjegjëse për Infarktin Akut të Miokardit. Për këtë arsye, të sëmurët me sëmundje koronare janë më të predispozuar se të tjerët për të formuar pllaka me yndyrë në arteriet karotide.


Insulti Cerebral Trombotik

  • Kur Pllakat Arterosklerotike zmadhohen në përmasë aq sa pengojnë qarkullimin e gjakut në Arterie, Truri vuan. Kjo ndodh pasi pakësohet furnizimi me gjak dhe oksigjen në Tru.
  • Në disa raste këto pllaka komplikohen, duke u çarë brënda enës së gjakut dhe duke formuar në atë vend një tromb (mpiksje gjaku).
  • Ky tromb e bllokon enën në mënyrë të menjëhershme, dhe për pasojë shkakton ndërprerje akute të furnizimit të trurit me gjak.
  • Kjo ndërprerje e furnizimit me gjak shkakton Infarkt të Trurit, ose Insult Trombotik i cili shoqërohet me paralizë të dorës dhe këmbës së anës së kundërt të trupit.

Ankesat:

Sa më i vogël që të jetë ngushtimi aq më pak shqetësime ka. Ankesat përfshijnë:

  • Marrje mëndsh.
  • Humbje ekuilibri.
  • Dhimbje koke.
  • Mpirje të dorës dhe këmbës.

  • Kur ngushtimi është i rëndësishëm ose kritik, pacienti ka “gjëndje të fikëti” (sinkop) dhe mund të rrëzohet përtokë për shkak të mos furnizimit të Trurit me gjak.


Diagnoza:

Ekografi e Vazave të Qafës

Ekografi e Arterieve Karotide dhe Arterieve Vertebrale Triplex (2D, Color, Doppler). Me anë të këtij ekzaminimi:

  • Shihet Pllaka Arterosklerotike.
  • Përcaktohet përqindja e ngushtimit të Arteries Karotide.
  • Përcaktohet forma, gjatësia dhe vendndodhja e saktë.
  • Përcaktohet lloji i Pllakës Arterosklerotike. Nëse është e butë, e çrregullt, jo e kufizuar mirë nga kapsula e saj – ajo mund të çahet dhe të shkaktojë Insult Cerebral Trombotik.

Pamje të kapura me Ekografi të Vazave të Qafës:



Skaneri dhe Rezonanca Magnetike me Kontrast

Janë ekzaminime të tjera të mëtejshme dhe shumë të rëndësishme për diagnostikimin dhe trajtimin që vijon.


Trajtimi:

  • Kur ngushtimi është i rëndësishëm, atëherë ena e gjakut zgjerohet me balonë dhe vendosen stentë, të cilat quhen ndryshe dhe unaza. Këto të fundit bëjnë të mundur zgjerimin e arteries duke lënë të lirë qarkullimin e gjakut.
  • Kur ngushtimi është pothuajse total, i sëmuri mund ti nënshtrohet edhe ndërhyrjes kirurgjikale, dhe të hiqet totalisht Pllaka Arterosklerotike.
  • Në të dyja rastet i sëmuri mjekohet vazhdimisht me hollues gjaku.
  • Gjithashtu do të duhet të mbajë gjithmonë në ekuiliber dhe nën kontroll faktorët e rrezikut të lartpërmendur.

Parandalimi:

  • Çdo person mbi një moshë të caktuar (femrat mbi 45 vjeç dhe meshkujt mbi 40 vjeç) duhet t’i nënshtrohet rregullisht një Check-Up ose kontrolli specifik, i cili përfshin ekzaminime laboratorike dhe instrumentale.
  • Ky kontroll duhet të përfshijë:
    • Lipidograma – Analizat laboratorike të yndyrnave. Analiza gjaku të cilat kontrollojnë parametrat e yndyrnave në gjak.
    • Glicemia – Analizala laboratorike e sheqerit. Analizë gjaku që mat parametrat e sheqerit në gjak. Tregues për diabetin, si faktor rreziku për isheminë dhe infarktin.
    • Kontrolli dhe ekuilibrimi i HTA (Hipertensioni Arterial) – si faktor rreziku për arterosklerozen dhe sëmundjen ishemike.
    • EKG – Elektro kardiograma
    • TTE – Ekografi Trans-Torakale Triplex (2D, Color, Doppler) ose e njohur ndryshe si Eko e Zemrës.
    • Prova Ushtrimore – Ekzaminim i zemrës gjatë sforcimit fizik duke përdorur tapet lëvizës ose biçikletë.
    • Ekografi e Vazave të Qafës – Ekografi e Arterieve Karotide dhe Vertebrale Triplex (2D, Color, Doppler).
  • Duhet mbajtur në ekuilibër pesha trupore nëpërmjet aktivitetit fizik dhe dietës ushqimore.
  • Duhen eliminuar faktorët e tjerë të rrezikut si konsumi i duhanit dhe i alkoolit.


  • KUJDES! Teksti në këtë faqe është shkurtuar dhe thjeshtësuar për t'u bërë më i kuptueshem nga pacienti mesatar. Ai ka si qëllim informimin e publikut dhe nuk duhet në asnjë mënyrë të zëvendësojë konsultat mjekësore të specializuara.