Provë Ushtrimore


Blog

Prova ushtrimore është një ekzaminim që mund të realizohet me anë të një biçiklete statike ose me anë të një pajisjeje të ngjashme me një pistë vrapi (treadmill). Ky ekzaminim kryhet me ngarkesë të caktuar dhe realizohet sipas një protokolli të caktuar. Ekzaminimi ndiqet në çdo kohë nga mjeku kardiolog i specializuar dhe nga një personel tjetër mjekësor i trajnuar.

Pacienti lidhet me pajisjen me anë të disa elektrodave të cilat kryejnë matje të vazhdueshme të ritmit të zemrës. Sipas protokollit mjekësor, përpara se të fillojë prova ushtrimore pacienti kryen EKG dhe matje të tensionit arterial. Prova ushtrimore zgjat mesatarisht 7-12 min, por me gjithë fazën përgatitore mund të shkojë deri në një orë.

Personeli mjekësor gjatë ekzaminimit monitoron:

  • Ritmin e zemrës.
  • Frekuencën kardiake.
  • Tensionin arterial.
  • Gjendjen klinike të pacientit.

  • Me anë të këtij ekzaminimi mjeku kardiolog merr informacion në lidhje me furnizimin e muskulit të zemrës me gjak nga arteriet koronare. Për shkak se ky funksion nuk vëzhgohet me TTE ose TEE informacioni që merret nëpërmjet provës ushtrimore është indirekt ose funksional.

    Kur prova ushtrimore rezulton negative konkludohet se:

  • Për momentin nuk kemi ngushtica të rëndësishme të arterieve koronare.

  • Kur prova ushtrimore rezulton pozitive konkludohet se:

  • Muskuli i zemrës vuan, ishemizon.
  • Pacienti duhet të vazhdojë ekzaminimet e mëtejshme:
    • CT skaner me kontrast i arterieve koronare.
    • Koronarografi – ekzaminim me anë të së cilit vendoset nëse pacienti do t’i nënshtrohet procedurave të mëtejshme kirurgjikale apo do të vazhdojë me trajtim medikamentoz.

  • Në disa raste prova ushtrimore mund të rezultojë e dyshimtë ose jokonkluduese. Në këto raste pacienti duhet të ketë durimin që sipas udhëzimeve të mjekut kardiolog ta përsërisë ekzaminimin sa herë të jetë e nevojshme, deri në arritjen e një përfundimi paraprak.


    Përgatitja përpara ekzaminimit të provës ushtrimore për pacientët, përfshin udhëzimet e mëposhtme:

  • Pacienti në momentin e kryerjes së ekzaminimit duhet të ketë të paktën 4 orë pa konsumuar ushqim dhe lëngje.
  • Pacienti në momentin e kryerjes së ekzaminimit duhet të ketë të paktën 12 orë pa konsumuar kafeinë.
  • Pacienti duhet të konsultohet me mjekun kardiolog për medikamentet që përdor dhe nëse duhet t’i marrë ato ditën e ekzaminimit apo jo.
  • Pacienti duhet të ketë me vete të gjitha medikamentet që përdor rregullisht.

  • Personat, që sugjeron mjeku kardiolog, për kryerjen e provës ushtrimore mund të jenë:

  • Persona me dhimbje gjoksi gjatë sforcimit fizik.
  • Persona me dhimbje dhe çrregullime të ritmit të zemrës.
  • Persona me dhimbje gjoksi dhe vështirësi në frymëmarrje.
  • Meshkujt mbi 40 vjeç dhe femrat mbi 50 vjeç, edhe nëse nuk kanë ankesa.
  • Meshkujt mbi 30 vjeç, pa ankesa, por me faktorë rreziku për sëmundje koronare si:
    • Obezitet.
    • Diabet.
    • Yndyra të larta.
    • TA (tension) të lartë.
    • Duhanpirës.
    • Me histori familjare për infarkt.
  • Femrat në menopauzë, pa ankesa, por me faktorë rreziku për sëmundje koronare si:
    • Obezitet.
    • Diabet.
    • Yndyra të larta.
    • TA (tension) të lartë.
    • Duhanpirës.
    • Histori familjare për infarkt.
  • Persona në moshë të re, përdorues substancash narkotike dhe me ankesa.
  • Femra në moshë të re, përdoruese të kontraceptivëve dhe me ankesa.
  • Persona me çrregullime të ritmit të zemrës.
  • Persona që vuajnë nga HTA dhe janë nën mjekim.
  • Persona që vuajnë nga sëmundje të lindura të zemrës.
  • Persona që vuajnë nga sëmundje të fituara të valvulave të zemrës.
  • Persona që kanë të dëmtuar muskulin e zemrës (shkallë e lehtë ose mesatare).
  • Persona që vuajnë me sëmundje koronare dhe kanë kryer ndërhyrje ose procedura si:
    • Vendosje të stentëve.
    • By-pass aorto-koronar.
  • Persona të operuar me proteza valvulare.
  • Persona të shëndetshëm që duan të merren me aktivitet fizik sistematik.
    • Meshkujt pas moshës 25 vjeç.
    • Femra pas moshës 30 vjeç.
  • Sportistët profesionistë që në moshë të vogël, pra pa filluar ende aktivitetin sportiv me intensitet të lartë.

  • Për t’u informuar mbi komplikacionet e mundshme, lidhur me këtë ekzaminim, ju lutem konsultohuni me formularin e konsensusit për provë ushtrimore.