Kolonoskopia


Blog

Kolonoskopia është një ekzaminim i zakonshëm, por shumë i rëndësishëm i kolonit (zorrës së trashë). Ky ekzaminim kryhet me ndihmën e një endoskopi, i cili është një instrument fleksibël, në formën e një tubi të hollë dhe i pajisur me një sistem video-optik. Endoskopi futet nga mjeku gastrolog nëpërmjet kanalit anal dhe kalon nëpër të gjithë gjatësinë e zorrës së trashë. Ai mundëson pamjen e saktë të mukozës (sipërfaqes së brendshme) së zorrës së trashë. Endoskopi, i cili në këtë rast quhet kolonoskop, ka në përbërjen e tij edhe dy kanale të cilat përcaktohen si:

  • Kanali i punës – nëpërmjet të cilit mund të futen dhe të shtyhen brenda instrumente të tjera si pinca e hollë e biopsisë që shërben për marrjen e materialeve indore.
  • Kanali i ajrit/ujit – i cili shërben për insuflimin e ajrit ose ujit. Këto funksione shërbejnë për të shpalosur sa më mirë mukozën e zorrës së trashë. Gjithashtu, shërbejnë edhe për shpëlarjen e lentes në fund të kolonoskopit.
  • Blog

    Gjatë kolonoskopisë pacienti shtrihet në anën e majtë me këmbët lehtësisht të mbledhura. Mjeku fut kolonoskopin, nëpërmjet kanalit anal, në zorrën e trashë. Kolonoskopi do të shtyhet ngadalë përgjatë gjithë gjatësisë së zorrës së trashë. Për të pasur pamje të plotë dhe sa më të qartë, mjeku insuflon ajër nëpërmjet aparatit.

    Mjeku, gjatë ekzaminimit, mund të kryejë manovra të tilla si ndryshimi i pozicionit të pacientit në mënyrë që kolonoskopi të kalojë më lehtë kthesat e forta të zorrës. Tërheqja e kolonoskopit është me rendësi të veçantë dhe kryhet ngadalë për të vëzhguar çdo detaj të mundshëm. Nëpërmjet kanalit të punës së kolonoskopit, mund të përdoren apo futen edhe instrumente të tjera kirurgjikale si pincat e biopsisë apo laqet metalike. Ato shërbejnë për marrjen e materialit indor ose biopsisë dhe heqjen e polipeve të ndryshme.

    Kolonoskopia është një ekzaminim që mund të shkaktojë ndjenjë parehatie dhe/ose dhimbje të moderuar te pacienti. Duhet theksuar se dhimbja vjen si pasojë e futjes së ajrit në zorrë nëpërmjet kolonoskopit dhe jo për ndonjë arsye tjetër. Dhimbja apo gjendja e parehatisë tolerohet në shkallë të ndryshme nga pacientë të ndryshëm dhe për këtë arsye ky ekzaminim, në shumicën e rasteve, kryhet nën efektin e sedativëve. Gjatë procedurës së sedacionit pacienti bie në një gjendje gjumi, relaksi dhe pandjeshmërie duke e bërë kolonoskopinë një ekzaminim lehtësisht të përballueshëm.

    Kolonoskopia rekomandohet të kryhet për personat që kanë ankesat e mëposhtme:

  • Përmbajtje të gjakut në feçe.
  • Ndryshime të zakonit të jashtëqitjes (alternim i diarresë me konstipacionin).
  • Konstipacion apo diarre kronike.
  • Dhimbje kronike barku.
  • Rënie e paqëllimshme në peshë.
  • Anemi e paqartë.

  • Kolonoskopia është gjithashtu një ekzaminim bazë për të parandaluar kancerin e zorrës së trashë. Ky ekzaminim rekomandohet të kryhet edhe pa ankesa te personat mbi 50 vjeç, apo tek ata që kanë histori familjare me këtë sëmundje. Për t’u informuar mbi komplikacionet e mundshme, lidhur me këtë ekzaminim, ju lutem konsultohuni me formularin e konsensusit për kolonoskopi.

    Për të kryer kolonoskopinë është e nevojshme një parapërgatitje e zorrës, e cila fillon një ditë përpara ditës së ekzaminimit. Për t’u njohur me këtë procedurë përgatitore ju lutem konsultohuni me formularin e përgatitjes për kolonoskopi. Nëse nuk ndiqni në mënyrë rigoroze të gjitha pikat në këtë formular, kolonoskopia nuk mund të kryhet.