Fryrja e barkut (Meteorizmi)


Fryrja e barkut ose Meteorizmi është ndjesia objektive apo subjektive e rritjes së vëllimit të gazrave në zonën e barkut, rritjes së lëvizshmërisë, gurgullimave, zhurmave në zorrë si edhe e nxjerrjes së këtyre gazrave nga vrima e jashtëqitjes.

99% i të gjithë vëllimit të gazrave në stomak dhe në zorrë përbëhet nga 5 gazra pa erë:

  • Nitrogjeni (N2)
  • Oksigjeni (O2)
  • Dioksidi i karbonit (CO2)
  • Hidrogjeni (H2)
  • Metani (CH4)

Era e keqe e përmbajtjes së këtyre gazrave, vjen nga fermentimi i proteinave të pathithura, që kanë sasi minimale të sulfiteve të hidrogjenit (H2S), amoniakut (NH3), indolit, skatolit, fenolit dhe acideve yndyrore të avullueshëm.

Në zorrën e trashë, prodhimi i gazrave me erë të keqe shtohet akoma më tepër për shkak të përfshirjes së proceseve bakteriale dhe enzimatike në tretjen e karbohidrateve. Sasia e gazit të prodhuar varet nga sasia e karbohidrateve të pazbërthyera dhe nga lloji i dietës.

Disa nga shkaqet kryesore të shtimit të gazrave në stomak dhe në zorrë që lidhen kryesisht me dietën dhe me mënyrën e jetesës janë:

  • Futja e ajrit nëpërmjet gojës. Sasia e ajrit, që futet çdo ditë në stomakun tonë është afërsisht 2 deri në 3ml ajër për çdo gëlltitje dhe 1 deri në 2 ml ajër për çdo frymëmarrje të thellë.
  • Futja e ajrit nëpërmjet ushqimeve dhe pijeve, që përmbajnë ajër si, për shembull, kremrat e rrahura apo pijet me gaz.
  • Shtimi i sekrecioneve të pështymës si pasojë e përdorimit të çamçakëzit.
  • Traditat e varfra dietike të pasura me ushqime të procesuara dhe të konservuara.
  • Konsumimi i shpejtë i ushqimeve dhe i lëngjeve.
  • Konsumimi i tepërt i karbohidrateve të patretshme, thithja e të cilave është e kufizuar si, për shembull, laktoza, e cila gjendet kryesisht te qumështi dhe nënproduktet e tij, por edhe fruktoza që gjendet më së shumti te frutat.
  • Konsumi i tepërt i ushqimeve të pasura me fibra si arrorët e ndryshëm, bishtajoret dhe në përgjithësi zarzavatet.

Disa nga shkaqet patologjike ose të perceptuara si patologjike të prodhimit të gazrave në stomak dhe në zorrë mund të jenë:

  • Fryrja akute e menjëhershme (ileusi mekanik ose paralitik).
  • Çrregullimet neurotike të sjelljes, stresi, gjendjet anksioze, tharja e gjuhës, trakeostomia.
  • Deficiti i laktozës, i cili bën që laktoza e patretur të hyjë në zorrë dhe të çojë në formimin e hidrogjenit (H2), dioksidit të karbonit (CO2) dhe acidit laktik. Në disa raste mund të çojë edhe në diarre.
  • Tubat ushqyes te persona të sëmurë rëndë.
  • Pamjaftueshmëria e enzimave pankreatike për shkak të acideve yndyrore të avullueshme.
  • Sindromi i zorrës së shkurtër.
  • Infeksioni nga lamblia intenstinale.
  • Mosthithja e dioksidit të karbonit (CO2) dhe pakësimi i konsumimit të hidrogjenit (H2) nga flora bakteriale, tek të sëmurët me cirrozë të mëlçisë, me insufiçencë kardiake dhe nga trajtimi me antibiotikë.
  • Çrregullimet e lëvizjes së tubit tretës, si sindromi i zorrës së irrituar.
  • Çrregullimet hormonale si hipertiroidizmi.
  • Çrregullime të rralla, si cistet aerike në zorrë, të cilat përmbajnë hidrogjen (H2).

Diagnoza:

  • Vizitë gastro-hepatologjike.
  • Gastroskopi.
  • Kolonoskopi.
  • Biopsi (sipas indikacionit).
  • Ekografi abdominale.
  • Analiza Laboratorike:
    • Gjak komplet.
    • Bilirubinë direkte, bilirubinë totale.
    • SGOT, SGPT, ALP, GGT.
    • PCR.
    • LDH.
    • Fibrinogjen.
    • Albuminemi.
    • Amilazemi, amilazuri.
    • Ft3, Ft4, TSH.
    • Feçe parazit, feçe kandida, feçe për yndyrna.
  • Të tjera:
    • Konsultë te psikiatri (nëse mjeku gastro-hepatolog e gjykon të nevojshme).

Parandalimi:

Konsulta me mjekun gastro-hepatolog është hapi i parë dhe më i rëndësishmi që duhet të ndërmerret për të mësuar sa më shpejt shkaqet e Meteorizmit, por edhe për të marrë në kohë trajtimin e duhur, me qëllim që të shmangen komplikacionet e mëtejshme.

Dieta e rregullt dhe e balancuar ushqimore si dhe mënyra aktive e të jetuarit janë gjithmonë shumë të rëndësishme për të pasur një trakt gastrointestinal të shëndetshëm dhe një jetë cilësore.



KUJDES! Teksti në këtë faqe është shkurtuar dhe thjeshtësuar për t'u bërë më i kuptueshem nga pacienti mesatar. Ai ka si qëllim informimin e publikut dhe nuk duhet në asnjë mënyrë të zëvendësojë konsultat mjekësore të specializuara.