Ulçerat peptike janë defekte ose dëmtime të mukozës së Duodenit (pjesa fillestare e zorrës së hollë) ose të Stomakut. Ato zhvillohen zakonisht kur mukoza nuk është më në gjëndje të mbrohet nga dëmtimet agresive që shkakton acidi i stomakut. Ulçerat e duodenit janë më të shpeshta se ato të stomakut. Ulçerat e Ezofagut janë dhe me të rralla krahasuar me ato të duodenit e stomakut.
Disa nga shkaqet kryesore të ulçerave janë:
- Helikobakter Pilori.
- Holluesit e gjakut si Aspirina dhe medikamente që përdoren kryesisht si qetësues të dhimbjes (Ibuprofen, Naproksen, Voltaren etj).
- Stresi psikologjik dhe situata të veçanta të stresit si operacionet, traumat, djegiet etj.
- Gastriti kronik i patrajtuar.
- Prodhimi i lartë i acidit të stomakut.
- Konsumi i tepruar i ushqimeve të skuqura, i atyre “fast-food”, dhe i atyre me shumë yndyrë.
- Konsumimi i duhanit, kafes dhe alkoolit janë faktorë që rëndojnë ecurinë e sëmundjes.
Ankesat:
- Dhimbje në mesin e pjesës së sipërme të barkut – në lukth – e lidhur ose jo me marrjen e ushqimit në varësi të llojit të ulçerës.
- Dhimbje periodike – në sezone apo periudha të caktuara.
- Dhimbje ritmike – në orare të caktuara të ditës apo natës.
- Urth.
- Intolerancë ndaj disa lloj ushqimesh.
- Ndjesi e të vjellit.
- Të vjella (në rast ndërlikimesh edhe me gjak).
- Rënie në peshë.
Diagnoza:
- Gastroskopia me ose pa biopsi – ekzaminimi më i saktë për të parë nga afër ezofagun, stomakun, dhe duodenin.
- Ekografia abdominal – për të përjashtuar patologji të organeve përreth stomakut të cilat mund të kenë ankesa të njëjta.
- Transformimi në kancer.
- Analiza laboratorike:
- Gjak komplet, Ferritinemi – për të parë nëse ka anemi.
- Antigeni Fekal për Helikobakter Pilori.
- Feçe Parazit.
Trajtimi:
- Me medikamente që frenojnë (PPI) ose reduktojnë (anti H2) prodhimin e acidit të stomakut.
- Me medikamente që neutralizojnë lëngjet e duodenit, të cilat refluktojnë/kthehen në stomak.
- Me medikamente prokinetike për të rregulluar lëvizshmërinë e pjesës së sipërme të tubit tretës.
- Me medikamente antispastike nëse dhimbjet janë spastike.
- Me antibiotikë nëse është vërtetuar prania e Helikobakter Pilorit.
Kujdes!!! Në raste neglizhence në trajtim nga ana e pacientit, sëmundja ulçeroze shkon drejt komplikacioneve të tilla si:
- Hemorragjia e shoqëruar në disa raste me anemi të rëndë.
- Stenoza (ngushtica, pengesa).
- Perforacioni (çarja, plasaritja) e “murit” të stomakut ose duodenit. Probleme të cilat kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale.
Trajtimi i kujdesshëm dhe në kohë i ulçerës mund t’i parandalojë këto komplikacione. Në asnjë rast nuk duhet neglizhuar evitimi i stresit, ushqyerja e shëndetshme, evitimi i medikamenteve kundra dhimbjes të përmendura më lart.
Kujdes!!! Të vjellat me gjak të kuq të pastër, ato të ngjashme në përbërje me llumin e kafesë dhe/ose jashtëqitja me ngjyrë të zezë janë indikacione për një komplikacion serioz të ulçerës dhe paraqitja tek mjeku gastrolog duhet bërë në mënyrë urgjente.
Parandalimi:
- Ushqimi në mënyrë të kujdeshme dhe joabuzive është thelbësor në parandalimin e të gjitha sëmundjeve të stomakut.
- Konsultat me mjekun gastrolog që në momentet e para të ankesave është gjithashtu thelbësore për të evituar përshkallëzimin e sëmundjeve të stomakut. Personat që kanë histori familjare me të sëmurë ulçeroz duhet të jenë akoma më të kujdesshëm në këtë pikë.
- Marrja pa kriter e medikamentve që përdoren për hollimin e gjakut dhe qetësuesëve të dhimbjes, mund të rrisë rrezikun e prekjes nga sëmundjet e stomakut.
- Stresi është gjithashtu faktor madhor rreziku për të gjitha sëmundjet e tubit tretës, duke përfshirë këtu edhe sëmundjet ulçeroze.
KUJDES! Teksti në këtë faqe është shkurtuar dhe thjeshtësuar për t'u bërë më i kuptueshem nga pacienti mesatar. Ai ka si qëllim informimin e publikut dhe nuk duhet në asnjë mënyrë të zëvendësojë konsultat mjekësore të specializuara.