Vizita Kardiologjike


Blog

Vizita mjekësore kardiologjike është shumë e rëndësishme dhe vendimtare për çdo individ që ka apo mund të ketë probleme kardiake (të zemrës). Vizita ose konsulta është kontakti i parë i pacientit me mjekun, dhe për këtë arsye ka rëndësi të veçantë shprehja dhe formulimi i ankesave nga ana e pacientit, si edhe kuptimi apo interpretimi i duhur nga ana e mjekut. Pacientët mund të jenë të ndryshëm në karakter, në nivelin e intelektit, në shkallën e arsimimit. Shpeshherë ata mund të jenë të ndrojtur ose mund ta kenë të vështirë për të shprehur atë që ndiejnë.


Për këto arsye mjekut i duhet kohë, përqendrim, intuitë dhe shumë durim për të marrë informacionin e duhur.


Vizita kardiologjike kryhet gjithmonë nga mjeku kardiolog, specialist dhe me eksperiencë. Gjatë vizitës kristalizohen të gjitha dijet, eksperienca klinike dhe instrumentale e mjekut për të drejtuar pacientin në hapat e tjerë, të cilët janë:

  • Plani i ekzaminimeve instrumentale dhe laboratorike.
  • Kryerja e të gjitha ekzaminimeve instrumentale dhe laboratorike të nevojshme.
  • Vizita me mjekë të specialiteteve të tjera, nëse dyshohet për sëmundje jashtë zemrës.
  • Diagnostikimi përfundimtar.
  • Plani i trajtimit.
  • Ekzekutimi i planit të trajtimit në mënyrë rigoroze.
  • Rikontrolli klinik, instrumental, laboratorik.

  • Disa nga pyetjet që mjeku kardiolog mund të bëjë gjatë vizitës kardiologjike janë të lidhura ngushtë me ankesat aktuale të pacientit. Disa nga këto pyetje mund të jenë:

    A shoqërohet me marrje fryme, djersë, këputje, zbehje, marrje mendsh, humbje ekuilibri, rrahje të shpeshta të zemrës?

  • Nëse po, është në një pikë të caktuar apo përhapet?
    • Nëse përhapet, ku përhapet, sa zgjat, sa e fortë është? A ka dhimbje apo diskomfort të gjoksit? A qetësohet dhimbja me medikamente analgjezike dhe/ose anti-inflamatore?
  • A ka dhimbje të kokës?
    • Nëse po, në çfarë periudhe të ditës, sa zgjat, a shoqërohet me humbje ekuilibri dhe/ose të vjella?


  • Pyetjet e mësipërme i shërbejnë mjekut për të kuptuar simptomat e pacientit dhe për t’i lidhur ato me sëmundje të mundshme që shfaqin këto simptoma. Disa shembuj mund të jenë:

  • Dhimbja e kokës është karakteristikë, kryesisht, për pacientët që vuajnë nga sëmundja e HTA-së. Gjithashtu, mund të jetë edhe karakteristikë tek ata pacientë të cilët kanë ngushtime të arterieve që furnizojnë trurin me gjak.
  • Marrja e frymës ose dispnea, mund të jetë karakteristikë për pacientët:
  • Rrahjet e shpeshta të zemrës ose palpitacionet, mund të jenë të pranishme në të gjitha sëmundjet e zemrës, si dhe tek të sëmurët me HTA dhe kriza hipertensive.


  • Hapi tjetër i vizitës ka të bëjë me historinë e sëmundjes, e cila është pjesë e pandarë nga ankesat aktuale të pacientit. Disa pyetje që mjeku bën në këtë fazë mund të lidhen me:

  • Kohën e fillimit të ankesave.
  • Kushtet në të cilat janë shfaqur për herë të parë.
  • Ecurinë e ankesave.
  • Kohëzgjatjen e ankesave.

Historia e jetës është hapi i radhës dhe ka të bëjë me sëmundjet e tjera që ka kaluar apo vuan aktualisht pacienti. Mjeku interesohet për të kuptuar nëse këto sëmundje mund të kenë lidhje me ankesat aktuale të pacientit. Disa sëmundje si diabeti,HTA, po obeziteti janë faktorë rreziku për sëmundje të tjera të zemrës. Disa pyetje që mjeku mund të bëjë në këtë fazë janë:

  • A ka sëmundje kronike të veshkave apo probleme të gjëndrës tiroide? Të kaluara apo aktuale.
    • Nëse po, a merr mjekim?
  • A vuan pacienti nga ndonjë sëmundje e tubit tretës? Kjo është e rëndësishme pasi pacientët me probleme të zemrës në disa raste duhet të mjekohen me medikamente që hollojnë gjakun (si aspirina). Këto medikamente mund të jenë të dëmshme për disa organe të tubit tretës, si stomaku dhe/ose zorrët.
  • A ka sëmundje të mëlçisë si hepatitet, cirroza apo dhjamosja e saj? Kjo është e rëndësishme pasi mëlçia mund të dëmtohet edhe nga sëmundjet e zemrës ose nga medikamentet që merren për të luftuar sëmundjet e zemrës.

Në historinë e jetës së pacientit bëjnë pjesë edhe faktorët e mëposhtëm, të cilëve mjeku kardiolog u kushton rëndësi të veçantë:

  • Mënyra e të ushqyerit.
  • Përdorimi i duhanit, alkoolit dhe i substancave të tjera.
  • Aktiviteti fizik.

Vizita kardiologjike vazhdon me historinë familjare të pacientit. Pyetjet e radhës lidhen me predispozitën gjenetike – trashëguese të pacientit. Disa prej tyre mund të jenë:

  • A vuajnë prindërit nga HTA?
  • A keni njeri në familje që ka kaluar një aksident cerebrovaskular?
    • Nëse po, a ka qenë i shoqëruar me paralizë?
  • A keni persona me yndyra të larta në familje?
  • A keni persona që kanë kaluar infarkte në familje?
  • A kanë bërë prindërit ose vëllai/motra procedura terapeutike si vendosje të stentëve në arteriet koronare ose by-pass aorto-koronar?
  • A keni persona që vuajnë nga diabeti në familje?
  • A keni pasur vdekje të papritura në familje?

Pas marrjes së informacionit të mësipërm hapi i radhës është ekzaminimi objektiv i pacientit. Ky është një ekzaminim fizik, të cilin mjeku e kryen duke ndjekur pikat e mëposhtme:

1. Inspeksioni ose shikimi me sy të lirë. Gjatë kësaj faze mjeku kërkon me sy për shenja të ndryshme trupore që mund të lidhen me sëmundje të caktuara. Shembull: te fëmijët e lindur me sëmundje të komplikuara të zemrës mund të ketë shenja si:

  • Nxirje të buzëve, mollëzave dhe gishtave.
  • Fryrje të kraharorit (gibus).
  • Fryrje të barkut mbi nivelin e kraharorit.

2. Perkusioni ose vendosja e njërës dorë, të hapur, mbi trupin e pacientit dhe goditja e saj lehtë me gishtin e mesit të dorës tjetër. Ky veprim kryhet për të dëgjuar tingullin e pazakontë që mund të shkaktojë një sëmundje e caktuar. Në rastin tonë mjeku kardiolog mund të perkutojë kafazin e kraharorit për të dëgjuar nëse tingulli që përftohet i takon mushkërive normale të mbushura me ajër apo atyre të shtypura ose të mbushura me lëng.


3. Palpacioni ose prekja e barkut me dorë. Sëmundje specifike si vrimat në zemër, ose ngushtimet e rëndësishme të enëve të gjakut, krijojnë zhurma të forta, të cilat mjeku kardiolog mund t’i dallojë gjatë palpacionit. Mjeku kardiolog mund të prekë gjëndrën tiroide për të ndjerë fortësinë e saj. Hiperfunksioni ose hipofunksioni i gjëndrës tiroide mund të lidhet me çrregullimet e ritmit të zemrës, HTA-në etj.


4. Auskultacioni ose dëgjimi me stetoskop i pacientit. Me anë të këtij procesi mjeku kardiolog dëgjon:

  • Zhurmat e zemrës që janë karakteristike për sëmundje të caktuara.
  • Zhurmat në qafë që mund të lidhen me ngushtime të vazave të qafës.
  • Zhurmat në mushkëri për të kuptuar nëse ka mbetje të gjakut në to nga problemet e zemrës.

Me anë të të gjithë informacionit të mbledhur më sipër, mjeku kardiolog vendos planin e ekzaminimeve instrumentale dhe laboratorike si dhe hapat e mëtejshëm që do të ndiqen nga pacienti për të vendosur diagnozën përfundimtare.

Për të gjitha arsyet e përmendura më sipër vizita me mjekun specialist është absolutisht ekzaminimi më i rëndësishëm, dhe gjithmonë hapi i parë që individi duhet të kryejë kur ka shqetësime shëndetësore. Ekzaminimet instrumentale dhe laboratorike janë më të frytshme kur rekomandohen nga mjeku.