Gjithçka që ne marrim nëpërmjet ushqimit përpunohet në mëlçi, duke përfshirë këtu edhe alkoolin. Mëlçia është organi i vetëm që redukton, përpunon ose shkatërron në masë të konsiderueshme sasinë e alkoolit që ne konsumojmë. Por, mbrojtja nga intoksikimi (helmimi nga një sasi e caktuar alkooli) sigurohet vetëm në një periudhë të caktuar kohore nga mëlçia.
- Konsumimi i përditshëm i 20-30 gramë alkool në ditë për gratë dhe mbi 45 gramë alkool në ditë për burrat jep dëmtime progresive të mëlçisë.
- Konsumi i rregullt i alkoolit mund të ndikojë negativisht në organe të tjera jetike si truri, zemra, pankreasi, etj.
- Konsumimi i alkoolit nga pacientë që marrin edhe medikamente e vështirëson shumë punën e mëlçisë.
- Konsumi i alkoolit në sasira të konsiderueshme dhe në mënyrë të rregullt, e dëmton funksionin normal të mëlçisë, atë të detoksikimit.
- Ky dëmtim çon në ndryshimin ose shkatërrimin e qelizave të mëlçisë, duke shkaktuar edhe depozitime yndyrore të mëvonshme.
- Gjithsesi, në këtë stad mëlçia është akoma e rikuperueshme, dhe mund të shërohet duke normalizuar funksionin e saj, nëse ndërpritet konsumimi i alkoolit në mënyrë të menjëhershme.
- Nëse konsumimi i alkoolit vazhdon, mund të kalohet në një stad (fazë) tjetër. Në këtë stad mëlçia pezmatohet dhe në gjuhën mjekësore quhet hepatiti alkoolik ose hepatiti nga alkooli. Ky stad është vërtet i rrezikshëm pasi hepatiti alkoolik mund të zhvillohet, pa u vënë re, si një pezmatim kronik i mëlçisë (hepatiti kronik etilik) e deri në cirrozë të mëlçisë. Komplikacionet e një cirroze mund të jenë vdekjeprurëse.
Ankesa:
- Një pjesë e pacientëve me hepatit nga alkooli mund të kenë ankesa si:
- Lodhje.
- Humbje të oreksit.
- Fryrje të barkut.
- Zverdhje të syve ose të lëkurës.
- Shqetësime që lidhen me trurin si harresa, mosorientimi etj.
- Mund edhe të mos kenë asnjë ankesë.
- Ndjenjën e rëndesës nën harkun brinjor të djathtë.
Diagnoza:
- Vizitë gastro-hepatologjike.
- Ekografi abdominale.
- Analizat laboratorike:
- Gjak komplet.
- Funksioni hepatik (i mëlçisë): bilirubinë direkte, bilirubinë totale, SGOT, SGPT, ALP, PCR, LDH, GGT, fibrinogjen, albuminemi.
- Funksioni i pankreasit: amilazemi, amilazuri.
- Funksioni renal (i veshkës): azotemi, kreatinemi.
- Sheqeri në gjak: glicemi, HbA1C.
- Proteina totale.
- Elektroforeza e proteinave.
- INR.
- Lipidograma: HDL, LDL, triglicerid, kolesterol total.
- Hekuri në gjak: sideremi, ferritinemi.
- Markerat tumoralë: CEA, AFP, Ca 19-9, Ca 125.
- Markerat viralë: AgHbs, AntiHCV, HIV.
- Uricemia.
- Elastografia – Matja e elasticitetit të indit të mëlçisë që tregon gradën e zëvendësimit të këtij indi me ind fibrotik. Ky i fundit është një ind mbushës që nuk ka asnjë funksion të ngjashëm me indin normal të mëlçisë.
- Biopsia e mëlçisë – e cila kërkohet nga mjeku vetëm në rastet e përparimit të sëmundjes në fibrozë ose cirrozë të mëlçisë.
KUJDES!!! Kontrolli i vazhdueshëm laboratorik i disa prej ekzaminimeve të mësipërme duhet bërë sipas porosisë së mjekut deri në normalizimin e tyre.
Trajtimi:
- Ndërprerja e alkoolit në stad të hershëm të sëmundjes është hapi i parë i mjekimit për këtë sëmundje.
- Marrja e medikamenteve hepatoprotektore, që mbrojnë qelizën e mëlçisë, është jetik.
- Shmangia e marrjes së medikamenteve për sëmundje të tjera.
- Vitaminoterapi.
- Mënyra e të ushqyerit dhe e jetesës në përgjithësi është gjithashtu pjesë e mjekimit.
- Shmangia e konsumimit të yndyrave shtazore.
- Aktiviteti fizik, të paktën 30-60 minuta në ditë është gjithashtu mjaft i rëndësishëm.
Parandalimi:
- Duhet të shmanget konsumi i përditshëm i çdo lloj alkooli.
- Duhet të shmanget konsumi i përditshëm dhe në mënyrë abuzive i yndyrave shtazore.
- Duhet të shmanget jeta sedentare, duke e bërë aktivitetin fizik pjesë të rutinës së përditshme.
- Duhet të shmanget marrja pa kriter e medikamenteve.
KUJDES! Teksti në këtë faqe është shkurtuar dhe thjeshtësuar për t'u bërë më i kuptueshem nga pacienti mesatar. Ai ka si qëllim informimin e publikut dhe nuk duhet në asnjë mënyrë të zëvendësojë konsultat mjekësore të specializuara.