Divertikujt e traktit tretës


Divertikujt janë deformime ose zgjerime nga brenda-jashtë – në formë xhepi, të shtresës së brendshme dhe të jashtme të murit te disa organe të tubit tretës.

    Organet të cilat preken nga kjo sëmundje janë:

  • Zorra e hollë.
  • Zorra e trashë, në mënyrë të veçantë sigma (e cila është organi ku divertikujt takohen më shpesh).
  • Stomaku.
  • Ezofagu.

  • Pacienti mund të ketë një divertikul ose disa të tillë. Një sëmundje, kjo e fundit, e quajtur divertikulozë.

    Në disa raste sipërfaqja e brendshme e divertikulit ose e divertikujve pezmatohet dhe atëherë kemi të bëjmë me divertikulitis. Numri i të sëmurëve me divertikuj të traktit tretës (në mënyrë të veçantë ata të zorrës së trashë) në vendet e industrializuara ka ardhur gjithmonë në rritje. Një nga shkaqet kryesore mendohet të jetë mënyra e të ushqyerit. Kjo sëmundje është më e shpeshtë pas moshës 50 vjeçare.


Disa shkaktarë të mundshëm të divertikujve mund të jenë:

  • Një dietë ushqimore e vakët në fibra.
  • Konsumimi i tepërt i yndyrave shtazore, i mishit të kuq, i vezëve, dhe i alkoolit.
  • Konstipacioni.

Ankesat:

  • Në 80% të rasteve të sëmurët nuk kanë asnjë ankesë. Në këto raste divertikujt zbulohen rastësisht gjatë ekzaminimeve rutinë të aparatit tretës (gastroskopia, kolonoskopia).
  • Një pjesë e vogël e pacientëve kanë fryrje barku dhe gazra.
  • Dhimbje barku.
  • Çrregullime të jashtëqitjes (konstipacion ose diarre).
  • Humbje të oreksit.

KUJDES!!! Kur dhimbja e barkut shoqërohet me temperaturë e të vjella, mundësia më e madhe është që divertikujt të jenë të pezmatuar ose të infektuar. Dhimbja në këto raste mund të jetë aq e fortë sa e detyron të sëmurin të shkojë urgjent te mjeku.

Diagnoza:

  • Vizitë gastro-hepatologjike.
  • Gastroskopi.
  • Kolonoskopi.
  • Radiologjia me kontrast e tubit tretës
  • Analiza laboratorike në gjak:
    • Gjak komplet.
    • Funksioni hepatik (i mëlçisë): bilirubinë direkte, bilirubinë totale, SGOT, SGPT, ALP, PCR, LDH, GGT, fibrinogjen, albuminemi.
    • Funksioni renal (i veshkës): azotemi, kreatinemi.
    • Hekuri në gjak: sideremi, ferritinemi.
    • INR.
    • Glicemi.
    • Elektrolitet (Ca, K, Mg, Cl, Na).
  • Analiza laboratorike në feçe dhe në urinë:
  • Ekografi abdominale.


Trajtimi:

  • Ndërhyrja kirurgjikale rekomandohet në raste komplikacionesh si:
    • Hemorragjia.
    • Kur kemi të bëjmë me një numër të shumtë divertikujsh që kanë si komplikacion të mundshëm perforacionin (çarjen) e zorrës.
  • Në rastin e infektimit të divertikujve, si dhe në infeksione të tjera bakteriale, rekomandohet marrja e antibiotikëve sipas indikacionit të mjekut, në mënyrë që të shmanget ndërhyrja kirurgjikale.
  • Divertikujt mund të hiqen me rrugë kirurgjikale ose me rrugë mini-invazive nëpërmjet laparoskopisë.
  • Rregullimi i dietës dhe i mënyrës së ushqimit. Dieta mesdhetare është shumë e këshillueshme duke përfshirë fruta, perime, dhe ushqime të tjera me përmbajtje të lartë fibrash. Gjithashtu, duhen shmangur ushqimet e yndyrshme, mishi i kuq dhe vezët.

Parandalimi:

Kryerja e kolonoskopisë pas moshës 50 vjeç është e këshillueshme për evidentimin e hershëm të kancerit të zorrës. Me anë të këtij ekzaminimi bëhet njëkohësisht dhe evidentimi i hershëm i divertikujve.

  • Një dietë ushqimore e pasur me fibra është e këshillueshme për të parandaluar këtë lloj sëmundje. Personat, të cilët nuk konsumojnë fibra mjaftueshëm, mund të jenë më të predispozuar për të vuajtur nga kjo lloj sëmundje.
  • Jeta aktive mund të luajë një rol pozitiv në parandalimin e divertikujve.


  • KUJDES! Teksti në këtë faqe është shkurtuar dhe thjeshtësuar për t'u bërë më i kuptueshem nga pacienti mesatar. Ai ka si qëllim informimin e publikut dhe nuk duhet në asnjë mënyrë të zëvendësojë konsultat mjekësore të specializuara.